Sport

Van Dijk kërkon sezonin e përkryer

Foto: Reuters

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgin van Dijk, iu ka bërë me dije bashkëlojtarëve të tij që të mos ndalen deri në fund të sezonit dhe të luftojnë për ta fituar Premier Leaguen dhe Ligën e Kampionëve.

Klubi nga “Anfieldi”, Liverpool, udhëheqë me dy pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga “Qytetarët” e Cityt në garën për titull të kampionit, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar.

E në muajin që vjen, do të përballet me Porton në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Van Dijk bëri të ditur se medalja e argjendtë në Ligën e Kampionëve vitin e kaluar, ka qenë motivim për të dhe ekipin, transmeton KTV.

“Shpreson që të jesh në këtë pozitë, të luftosh për titull të Premier Leagues dhe të shkosh sa më larg në Ligën e Kampionëve. Gjëja kryesore është që të fitojmë diçka me Liverpoolin dhe ne kemi shanse. Duhet të japim më të mirën dhe të mos dëshpërohemi në fund”, ka deklaruar Van Dijk.

Paraqitjet e tij këtë sezon, kanë qenë mbresëlënëse, dhe është kandidati kryesor për ta fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Angli.

17 ndeshje Liverpooli nuk ka pësuar gol këtë sezon, ndërsa në total ka pranuar vetëm 18 gola, që është edhe mbrojtja më e mirë në ligë.