Sport

Prishtina pret skuadrën që i ka nxjerrë shumë telashe

Fazën e tretë dhe të fundit të këtij edicioni në Ipko Superligën e Kosovës, skuadra e Prishtinës synon ta nisë me fitore.

Në ndeshjen e xhiros së 23-të që luhet të mërkurën (sot) prej orës 14:00 në stadiumin "Fadil Vokrri", Prishtina e pret Flamurtarin, një kundërshtar që këtë edicion nuk ka arritur ta mposhtë. Në dy ndeshjet e këtij edicioni me Prishtinën, Flamurtari ka marrë një barazim dhe një fitore, shkruan sot Koha Ditore.

Takimi i së mërkurës është i fundit i kësaj xhiroje, ndeshjet e së cilës janë zhvilluar më 16 e 17 mars. Derbi i qytetit të Prishtinës është shtyrë, pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me këshillim të UEFA-s, vendosi ta ruajë fushën për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës: miqësoren me Danimarkën dhe eliminatoren me Bullgarinë.

Prishtina aktualisht zë vendin e tretë në tabelë me 47 pikë të tubuara, derisa Flamurtari ka 19 pikë më pak (28) dhe renditet në pozitën e nëntë në tabelë. Prin Feronikeli me 55 pikë, i përcjellë nga Llapi (48) që kanë nga një ndeshje më shumë të zhvilluar.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")