Sport

Në mungesë të Curryt, Golden State pëson humbje të thellë

Foto: Getty Images

Dirk Nowitzki tregoi një ndeshje tjetër për të mbajtur në mend në vizitën e tij të fundit në “Oracle Arena”, duke realizuar rekord të stinorit prej 21 pikëve, në një nga arenat e tij të preferuara.

Luka Donçiq realizoi dyshifror të trefishtë për Dallas Mavericksin, që shfrytëzoi mungesën e Stephen Curryt duke triumfuar 121:96 të shtunën mbrëma ndaj kampionit në fuqi të NBA-së, Golden State Warriorsit.

Nowitzki, 40-vjeçar, që është në stinorin e tij të 21-të dhe me gjasë të fundit me Dallas Mavericksin, luajti startues dhe u prit me ovacione nga tifozëria në “Oracle Arena”. Ai i dha krah Dallasit duke shënuar dhjetë pikë në katër minutat e para të lojës dhe Dallasi krijoi epërsi 22:7. Dallasi nuk ishte asnjëherë në disavantazh gjatë ndeshjes.

“Në disa ndeshje të fundit nuk pata ritëm të mirë të gjuajtjeve. Sot unë pata ritëm të mirë nga fillimi”, tha Nowitzki.

Golden State Warriors ka humbur vendin e parë në Konferencën Perëndimore. Me Curryn duke pushuar, Kevin Durant ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë, ndërsa DeMarcus Cousins shtoi 19 sosh. Mirëpo, basketbollistët e Golden State realizuan vetëm 4 nga 30 tentimet për tri pikë, ndërsa ata të Dallasit shënuan 21 nga 49 tentimet.

“Ne thjesht nuk e morëm veten pas startit të dobët dhe kurrë nuk u futëm në ritëm të lojës”, ka thënë trajneri i Golden State, Steve Kerr, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. “Kështu që do të hedhim këtë ndeshje dhe do shikojmë për ndeshjen e radhës, nuk kemi çfarë të bëjmë”.

Donçiq realizoi 23 pikë, 11 kërcime e dhjetë asistime dhe Dallasi i dha fund një serie prej 12 humbjeve rresht në Oakland, seri që ka nisur nga viti 2012. Dallasi krijoi epërsi deri në 43 pikë në çerekun e fundit. Ishte humbja më e thellë e Golden Statet në shtëpi që nga viti 2007.

Nowitzki e ka për zemër palestrën “Oracle Arena”, pasi shënoi pikët e para në NBA në këtë arenë, që do të mbyllet pas këtij stinori. Basketbollisti gjerman ka pasur disa momente të mëdha dhe po ashtu rënie në Oakland. Në vitin 2007, Golden State shokoi Dallasin, që kishte fituar 67 ndeshje në stinor të rregullt, duke e eliminuar në raund të parë të plejofit. Kjo e shtyu Nowitzkin të gjuante diçka në mur në drejtim të zhveshtores kundërshtare, duke bërë një vrimë që kurrë nuk është riparuar.

“Kam kujtime të mira dhe të këqija. Gjithmonë ka qenë arenë e madhe për të luajtur dhe atmosferë shumë e mirë. Gjithmonë do të mbajë në mend këtë arenë”, ka thënë Nowitzki.