Sport

Albulena kërkon shkëlqimin në vendin ku diskriminohen sportistët kosovarë

Descriptive Text

Karateistet kosovare janë në vlugun e përgatitjeve për Kampionatin Evropian për sendorë, që prej 28 deri më 31 mars mbahet në Guadalajara të Spanjës.

Bëhet fjalë për Kampionatin e 54-t evropian për seniorë, që mbahet në një shtet që deri më tash ka pasur qëndrim diskriminues ndaj sportistëve kosovarë. Sportistët, duke përfshirë edhe karateistët e vendit, nuk janë lejuar në shumë ngjarje që të garojnë të barabartë me sportistët e tjerë. Dhe pikërisht në ngjarjen e madhe që mbahet në Spanjë, karateistët kosovarë kërkojnë shkëlqimin.

Njëra prej atyre që synon të shkojë lart në këtë evropian është Albulena Gërvalla. Ajo do të garojë në luftëra në kategorinë deri 55 kilogramë. Albulena ka pasur një sukses të madh këtë vit dhe kjo e mbush me optimizëm për paraqitje të suksesshme në Evropianin për seniorë.

Albulena Gërvalla fitoi medaljen e bronztë në grupmoshën U-21, në kategorinë deri 55 kilogramë, në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U-21 që u mbajt prej 8 deri më 10 shkurt në Aalborg të Danimarkës.

Ajo kishte nisur me fitore ndaj një karateisteje nga Kroacia. Më pas pësoi 3:2 nga një franceze, por në repesazh rreshtoi tri fitore për të arritur në zonën e medaljeve, përkatësisht për t'ia siguruar vetes dhe Kosovës të bronztën. Ai sukses është më i madhi në karrierën e deritashme të Albulenës, e cila, megjithatë, shpreson sukses më të madh në Evropianin për seniorë që mbahet në fund të këtij muaji në Spanjë.

"Së bashku me trajnerin tim, Isak Curri, që njëherësh është edhe përzgjedhës i Kosovës, besojmë që kemi nivelin dhe potencialin për të fituar medaljen e artë", ka thënë Albulena Gërvalla për gazetën. "Por, pasi është hera e parë që marrim pjesë në Evropian, mund edhe të gabojmë. Por një është e sigurt - një ditë do të rrëmbejmë medaljen e artë dhe do ta sjellim atë në Kosovës", ka shtuar karateistja e re.

Synimet e mëdha

Evropiani i vitit të kaluar u mbajt në Novi-Sad të Serbisë, ndërsa karateistët kosovarë nuk u lejuan të futeshin në këtë shtet fqinj për të garuar. Ndërkohë në Madrid të Spanjës ishte mbajtur Kampionati Botëror, në të cilin karateistët kosovarë nuk u lejuan të garonin me simbole shtetërore. Ishte bërë presion ndaj autoriteteve spanjolle pas atij diskriminimi dhe Qeveria spanjolle kishte premtuar se do të ofronte trajtim të barabartë për sportistët kosovarë në të ardhmen.

Por kjo nuk ka ndodhur deri më tash, ndërsa drejtuesit e Federatës së Karatesë të Kosovës janë të bindur se në Evropian do të trajtohen të barabartë me sportistët e tjerë. Karateistja Gërvalla është duke e kryer punën e saj dhe nuk po merret me gjëra të tjera.

Image

"Unë personalisht jam e fokusuar në përgatitjet për Evropian dhe shumë pak do të ketë ndikim se ku do të mbahet kampionati. E rëndësishme është që ne si karateistë të përgatitemi si duhet dhe me çdo kusht do të luftojmë për sukses. Deri më tash Federata ka bërë shumë investime për t'i arritur qëllimet tona, të rrëmbejmë medalje", ka thënë Gërvalla. Ajo vlerëson se stërvitjet e ekipit të Kosovës, të udhëhequra nga përzgjedhësit Isak Curri e Ylber Syla, po zhvillohen shumë mirë.

"Në kamp përgatitor është një atmosferë shumë e mirë. Të gjithë po japim maksimumin në stërvitje. Unë jam më e reja në ekip, për herë të parë paraqitem në Evropian për Seniorë, ndërsa po kaloj formë të mirë tekniko-taktike, e po ashtu fizike".

Albulenën e presin gara të tjera të rëndësishme këtë vit. Ka treguar se menjëherë pas Evropianit për Seniorë do të garojë në Kampionatin mesdhetar në grupmoshën U-21 e në fund të vitit edhe në Kampionatin Botëror U-21.

Ajo është nga fshati Lupç i Poshtëm i Komunës së Podujevës. Me karate ka nisur në vendlindje në vitin 2010, në klubin Besa e Lluzhanit. Trajner të parë e ka pasur Isak Currin, të cilin e ka ende, ndërsa karatenë ka nisur ta mësojë në moshën 10-vjeçare.

Përvoja e fituar

"Jam kampione e shumëfishtë e Kosovës, medaliste e bronztë në Kampionatin Ballkanik në grupmoshën U-21, medaliste e bronztë në Kampionatin Evropian në grupmoshën U-21. Tani jam në klubin e karatesë As Prishtina në Bardhosh, ndërsa trajneri im vazhdon të jetë Isak Curri", ka treguar Albulena Gërvalla.

Albulena është e përkushtuar të bëjë karrierë të suksesshme në karate. Pasi ka kryer shkollën e mesme nuk ka vazhduar studimet, që të ketë hapësirë më të madhe për karate. Këtë vit synon të fillojë fakultetin.

Albulena vazhdon ta ketë në mendje disfatën e pësuar në Evropianin për të rinj. I ka kushtuar një moment pakujdesie.

"Para atij kampionati kemi ushtruar shumë me trajnerin tim. Pasi ishte gara e parë zyrtare e këtij viti, kemi udhëtuar me bindje që do të kemi paraqitje të mirë, duke besuar që do të luftojmë edhe për medalje. Edhe me optimiste isha për faktin që kisha paraqitje të mira në dhjetor të vitit të kaluar në Kampionatin Ballkanik, ku fitova medaljen e bronztë. Ajo medalje më dha vetëbesimin e duhur për Evropian. E edhe më shumë besoj në aftësitë e mia pas medaljes evropiane. Kështu tri javë më parë në garën Serie A për seniorë të mbajtur në Salzburg u rendita e nënta në mesin e 122 garueseve. Tani po punojmë maksimalisht për paraqitje të mirë në Evropianin për Seniorë".

Në Salzburg vendi i nëntë i Albulenës ishte plasmani më i mirë i garuesve kosovarë.

"Sa i takon Evropianit për të rinj, besoj se kam mundur të shkoj deri në finale. Në luftën ndaj francezes isha duke fituar 2:0 deri 17 sekonda para fundit. Kisha dominimin e plotë në luftë, por në një moment u tregova e pakujdesshme dhe kundërshtarja mori Ippon, që në karate ka vlerën e tri pikëve. Kështu që humba 3:2, por ajo luftë do të jetë një mësim që tani e tutje të jam më e kujdesshme dhe më e vendosur për të luftuar për medalje të artë", ka theksuar Albulena Gërvalla.

Ajo do të jetë njëra prej dhjetë karateistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropianin në Guadalajara.