Sport

Challandes, Kryeziu e Kololli flasin për ecurinë e “Dardanëve”

Në prag të ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2020”, shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka përgatitur një reportazh për suksesin e Kosovës, në Ligën e Kombeve.

Pjesë e këtij reportazhi janë përzgjedhësi Bernard Challandes, mesfushori Hekuran Kryeziu dhe mbrojtësi i krahut, Benjamin Kololli.

Përzgjedhësi Challandes ka thënë se nuk është aspak i befasuar me rezultatet e arritura.

“Më duhet ta shpreh gëzimin tim me përvojën time të deritanishme në Kosovë. Por, nuk jam aspak i befasuar. Kisha pritur të gjeja një ekip me cilësi”, shprehet Challandes.

Ndryshe, dyshja Kololli ka parashikuar ndeshje të vështira dhe të forta për “Dardanët”.

“Është garë e ngushtë, por asgjë nuk është e lehtë në jetë. Unë mendoj se do të jetë përvojë e re për ne”, tha Kololli.

Ndryshe, në këtë reportazh të UEFA-s, Kryeziu ka kujtuar ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

“Ishin ndeshjet e para zyrtare që i luajtëm në Prishtinë. Nuk është vendi i pasur, por kur njerëzit e shohin ekipin e tyre duke luajtur mirë, kjo ka rëndësi të madhe për ta”, deklaroi Kryeziu.