Sport

“Stadiumi në Mitrovicë do të jetë gati për 45 ditë”

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë do të jetë gati për 45 ditë, ka thënë të premten Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kultursë, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj.

Pasi në orët e mëngjesit e vizitoi stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë, inspektori i UEFA-s, Tyrge Borno, pasdite pa nga afër edhe stadiumin e qytetit në Prishtinë, raporton KTV.

Për inspektorin e shtëpisë evropiane, kjo ishte vizita e tretë për më pak se dy muaj, dhe sipas zyrtarëve shtetëror, këto vizita janë të rregullta për të diskutuar dhe për t’i shtyrë punimet që të kryhen në kohë.

Drejtori Alaj nuk ka dhënë detaje rreth kostos se sa do të kushtojnë punimet e dhëna shtesë, por është zotuar se stadiumi “Adem Jashari” do të jetë i gatshëm për një kohë të shkurtër.

Drejtori i Sportit në MKRS, po ashtu foli edhe rreth vizitës në stadiumin e Prishtinës, dhe tha se punimet janë duke shkuar drejt përfundimit në kohë.

Nga ana tjetër, inspektori i UEFA-s, Tyrge Borno, nuk u prononcua për medie, dhe shkurt deklaroi se është i deleguar, vetëm për t’i bërë inspektimet e stadiumeve.