Sport

“Efekti Messi mban Ronaldon në majë të futbollit”

Motivimi i Cristiano Ronaldos për të qëndruar në majë të futbollit botëror vjen nga rivaliteti me yllin e Barcelonës Lionel Messi, sipas ish-yllit të Realit, Kaka.

Ronaldo dhe Messi janë në “luftë” për më të mirin e botës qe dhjetë vjet duke fituar secili nga pesë “Topa të Artë”.

Portugezi sivjet kaloi te Juventusi nga Real Madridi dhe ka vazhduar me formën e lartë, pavarësisht se tash ka mbushur 34 vjet.

Sipas brazilianit Kaka, kjo vjen për shkak se Ronaldo është i mbushur me motiv që të qëndrojë më lartë se Messi.

“Besoj se është efekti Messi, sfida e pandalshme, dëshira që të tejkalojë gjithmonë veten. Në moshën 34 vjeçare dhe pas gjithë këtij suksesi, Cristiano akoma gjen motive”, ka thënë Kaka për “La Gazzetta dello Sport”.

Reali ka dështuar që kur Ronaldo u largua. Është eliminuar nga Liga e Kampionëve, ka rënë nga gara për Kupën e Mbretit dhe është nëntë pikë prapa Barçës në garën për titull në La Liga.

Rikthimi i Zinedine Zidanet si trajner pritet të ristabilizojë skuadrën, ndërsa Kaka thotë se francezi do ta ketë jo të lehtë të arrijë suksese pa Ronaldon.