Sport

Shqipëria, afër të angazhojë ish-lojtarin e Barcelonës

Një lojtar i zhvilluar te Barcelona shumë shpejt pritet të veshë fanellën e kombëtares së Shqipërisë në futboll. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ivan Balliu Campeny, futbollistin e lindur në Spanjë, që aktualisht është pjesë e Metzit në kampionatin e Francës.

Balliu ka prejardhje shqiptare, përkatësisht babën e ka shqiptar dhe sipas burimeve të "Panorama Sport", Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) tashmë ka nisur bisedimet për afrimin e mbrojtësit në kombëtare, transmeton Koha Ditore.

Gazeta tiranase ka mësuar se bisedimet e FSHF-së me menaxherin e lojtarit janë në rrugën e duhur dhe se ai shumë shpejt mund të jetë nën urdhrat e përzgjedhësit Gianni de Biasi. Ka gjasa që Balliu të ftohet qysh për ndeshjet e muajit të ardhshëm, që kombëtarja i luan me Italinë e Bosnjën.

Balliu 25-vjeçar ka lindur në Caldes de Malavella të Spanjës. Iu bashkua Akademisë së Barcelonës në vitin 2005 si 13-vjeçar. Në nivelin senior debutoi në edicionin 2010-11 kur luajti në kategorinë e dytë të Spanjës për ekipin B të Barcelonës. Për Barcelonën B luajti tri edicione, deri në verën e vitit 2013. Barcelona nuk i ofroi kontratë të re dhe Balliu kaloi tek Arouca në Portugali, në kategorinë e parë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.