Sport

Zidane pas kthimit te Reali flet për Ronaldon

Foto: Reuters

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk u ka shpëtuar pyetjeve lidhur me superyllin Cristiano Ronaldo, në konferencën e prezantimit si trajner i ri i “Mbretërve”.

Zidane sot u kthye te Reali nëntë muaj pasi u largua. Bashkë me Zidanen, nga Reali ishte larguar edhe superylli Cristiano Ronaldo, i cili kaloi te Juventusi.

Në konferencën e prezantimit, Zidane është pyetur nëse do të kthejë portugezin në skuadër, por ai ka refuzuar të flasë për këtë sot, e madje edhe për zëvendësimin eventual të tij.

“Nuk është koha të flasim për kthimin e Cristiano Ronaldos. E dini çka është bërë këtu, ishte shkruar histori dhe askush s’do ta ndryshojë këtë, por tash s’është koha të flasim për këtë. Nuk po mendoj për zëvendësimin e Ronaldos. Po mendoj se është ditë e rëndësishme dhe jam i lumtur që jam rikthyer. Po mendoj vetëm për 11 ndeshjet e mbetura të sezonit”, ka deklaruar francezi.