Sport

Dy golat e Rashicës ia sigurojnë fitoren Bremenit

Descriptive Text

Futbollisti kosovar, Milot Rashica, ishte ylli i mbrëmjes së sotme pasi shënoi dy gola për Werder Bremenin në ndeshjen kundër Schalke 04.

Ishte skuadra mysafire ajo që kaloi e para në epërsi në minutën e 26’ përmes Embolos, por Rashica u kundërpërgjigj vetëm 5 minuta më vonë (31’), duke barazuar shifrat e ndeshjes.

Pjesa e parë nuk solli gola tjerë, por në të dytën, në minutën 51’, ishte Kruse i Bremenit ai që nga pika e bardhë çoi skuadrën e tij në epërsi prej 2-1.

Në minutën e 73’, Rashica sërish doli në skenë duke shënuar një super-gol për rezultatin 3-1.

Kosovari Rashica u zëvendësua në minutën e 84-të duke humbur rastin që të shënonte një hat-trick.

Vetëm një minutë më vonë, mysafirët shënuan sërish përmes golashënuesit të parë të ndeshjes, Embolo (85’), për rezultatin 3-2.

Kur u mendua se mysafirët do të ktheheshin në shtëpi me së paku një pikë pas disa rasteve në portën e Bremenit në minutat e fundit të ndeshjes, në skenë doli Harnik i shënoi për rezultatin 4-2.

Me këtë rezultat edhe përfundoi ndeshja. Skuadra e Milot Rashicës me këtë fitore del në pozitën e 8-të me 36 pikë të tubuara, vetëm 3 larg pozitës 6 që çon në Europa Ligë, apo 7 larg Championsit.

Kurse Schalke 04 po kalon një sezon shumë të keq, duke u pozicionuar në vendin e 14-të me 23 pikë, vetëm 4 larg rënies nga Liga.