Sport

Rexhepi kërkon që Llapi të vazhdojë me rezultate pozitive

Pas fitoreve minimale ndaj Prishtinës dhe Gjilanit (1:0), skuadra e Llapit synon ta mposht edhe Trepçën '89, në ndeshjen që zhvillohet të shtunën (sot) në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës prej orës 13:30.

Kjo ndeshje luhet në kuadër të xhiros së 22 në Ipko Superligën e Kosovës dhe te Llapi janë të maksimalisht të përgatitur, ndonëse pranojnë se ndihet një lodhje për shkak të orarit të ngjeshur ditëve të fundit. Llapi të shtunën e shkuar triumfoi në shtëpi ndaj Prishtinës përpara se ta mposht edhe Gjilanin në udhëtim të mërkurën.

Aktualisht, Llapi është i treti në tabelë me 44 pikë, sa i ka edhe Prishtina në pozitën e dytë. Ndërkohë, Trepça '89 renditet e shtata me 27 pikë të mbledhura. Në pjesën pranverore të këtij edicioni, Llapi ka tri fitore dhe një humbje që ia shkaktoi Feronikeli (2:0) që është lider, në katër ndeshje të zhvilluara.

“Na pret një ndeshje e rëndë, pasi për shtatë ditë jemi duke u ndeshur me ekipe të kualitetit të mirë. Trepça '89, ka ekip cilsorë dhe duhet të kujdeshëm për shkak se si mysafire di të nxjerrë rezultate pozitive, siç ka bërë me Prishtinën që e eliminoi për kupë dhe pastaj e mposhti edhe Flamurtarin për pikë”, ka thënë trajneri i Llapit, Xhengis Rexhepi, raporton “Koha Ditore”.

“Prandaj ne duhet të futemi në këtë ndeshje, të përgatitur në çdo aspekt. Llapi përgatitet për ta fituar çdo ndeshje, kështu që edhe ndaj Trepçës '89 do të jetë synimi i njejtë. Do të mundohemi të vazhdojmë me rezultate pozitive”, shtoi Rexhepi.

Krahas Rexhepit, edhe mesfushori i Llapit, Mentor Zhdrella thotë se ndaj ekipit mitrovicas duan rezultat pozitiv, por që duhet të tregohen maksimalisht të kujdesshëm.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, duke patur parasysh lodhjen që e kemi patur me përballjet e shpeshta. Besoj se do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën nga vetja, pasi dihet që Trepça '89 është një ekip shumë i mirë dhe di të krijoj probleme”, u shpreh Zhdrella.