Sport

Arsenal - Manchester United, ndeshja kryesore në Angli

Foto: Reuters

Ndeshja kryesore në Premier League, në xhiron e 30-të do të zhvillohet në “Emirates” ndërmjet Arsenalit dhe Manchester Unitedit.

Të dy skuadrat janë duke e luftuar për një pozitë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, edicionin e ardhshëm.

Arsenali në këtë takim, vjen pas humbjes befasuese në Europa League, ndaj Rennes (RENIT) 3:1, edhe pse ishte duke udhëhequr 1:0.

Për dallim nga londinezët, skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer, ka fituar me përmbysje ndaj Paris Saint-Germainit për të kaluar në çerekfinale të Champions Leagues.

Fitoret e njëpasnjëshme të Solskjaerit, kanë bërë që ky i fundit ta fitojë edhe besimin e Bordit të klubit, që pritet ta shpërblejë me kontratë të re, transmeton KTV.

Trajneri Unay Emery për këtë takim nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Torreiras, që mungon për shkak të kartonit të kuq, ndërsa Bellerin dhe Welbeck, mungojnë për shkak të lëndimit.

Nga ana tjetër, edhe në këtë takim, Unitedi pritet të ketë mungesa të mëdha.

Për këtë takim do të mungojnë plotë tetë futbollistë, në mesin e tyre edhe Martial, Sanchez dhe Lingard.

Në pesë përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave, “Djajtë e Kuq” kanë tri fitore, një humbje dhe një barazim.

Emery do të tentojë ta shmangë humbjen e dytë radhazi në Premier League nga Unitedi, brenda një sezoni, ndërsa Solskjaer mund të bëhet trajneri i parë që arrin dy fitore radhazi në një sezon ndaj Arsenalit.

Lideri Manchester City do ta kërkojë fitoren e radhës në shtëpi ndaj Watfordit, për të mbajtur distancën prej një pike nga Liverpooli, që është në pozitën e dytë.

“Të Kuqtë”, synojnë të rikthehen te fitorja në shtëpi ndaj Burnleyt dhe llogariten favorit në këtë përballje.

Tottenhamin e pret një udhëtim i vështirë te Southamptoni, ndërsa Chelsea do ta kërkojë fitoren e radhës në “Stamford Bridge”, ndaj Wolverhapmtonit.