Sport

Pirlo pritet të rikthehet te Juventusi në rolin e trajnerit

Descriptive Text

Ish-mesfushori i Përfaqësueses së Italisë, Andrea Pirlo, është në negociata për t'u emëruar trajner i ekipit U-23 të Juventusit, që këtë edicion po garon në Serie C, kanë njoftuar të hënën mediumet italiane.

Pirlo në këtë post pritet të zëvendësojë trajnerin aktual Mauro Zironcelli, i cili do të largohet në fund të këtij edicioni për shkak të rezultateve jo të mira, transmeton Koha Ditore.

Juventusi për herë të parë këtë edicion e ka inkuadruar ekipin e dytë në kategorinë e tretë, që aktualisht renditet i 13-ti me 29 pikë pas 28 ndeshjeve të zhvilluara.

Pirlo i posedon të gjitha licencat për të punuar si trajner dhe pritet të firmos kontratë afatgjate. 39-vjeçari, në vitin 2017 u tërhoq nga futbolli aktiv me fanellën e New York City FC, kurse karrierë ka bërë edhe te Juventusi, Milani, Brescia e Interi.

Ai ka shumë trofe të fituar si futbollist, përfshirë edhe titullin e botës me Italinë në vitin 2006.