Sport

Njeriu që kreu 7 maratona për 7 ditë vrapon në Prishtinë

Descriptive Text

Të paktën dy mijë persona pritet të vrapojnë në gjysmëmaratonën e Prishtinës, që do të mbahet më 14 maj, kanë paralajmëruar organizatorët e kësaj gare ndërkombëtare, duke u bazuar në sinjalet që i kanë marrë deri më tash, shkruan sot Koha Ditore.

Në mesin e gjithë këtyre pjesëmarrësve, do të jetë edhe ultramaratonisti i njohur, amerikani Michael Wardian. Ai do të jetë në Kosovë me ftesën e Ambasadës së SHBA-së, pasi është edhe ambasador i sportit. Kjo është konfirmuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të mërkurën për gazetën. Ai pritet të mbërrijë në Prishtinë 3-4 ditë para gjysmëmaratonës dhe gjatë kësaj periudhe do të ketë edhe disa aktivitete në vend.

Ai është ultramaratonist i njohur në botë dhe këtë vit ka thyer rekordin duke përfunduar shtatë maratona, për shtatë ditë, në shtatë kontinente: Antarktikë (Novolazarevskaya), Afrikë (Cape Town), Australi (Perth), Azi (Dubai), Evropë (Madrid), Amerikë e Jugut (Barranquilla) dhe Amerikë e Veriut (Miami).

Dhe, vrapimi i 21 kilometrave në Prishtinë, nuk pritet të jetë gjë e vështirë për amerikanin 42 vjeç.

Kjo do të jetë gjysmëmaratona e 17-të rresht e Prishtinës, kurse gara kryesore do të mbahet në shtegun prej 21 kilometrave: Prishtinë - Fushë-Kosovë - Obiliq - Prishtinë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.