Sport

Veseli, drejtori që eliminoi klubin e tij

Basketbollisti i Yllit, Alban Veseli, ka ndihmuar skuadrën e tij që të kalojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës duke e mposhtur Feronikelin, në skuadrën ku ai është drejtor.

Veseli realizoi 21 pikë dhe pati 9 kërcime në fitoren 103:82 ndaj skuadrës nga Drenasi.

Feronikeli është formuar muaj më parë. Këtë edicion për herë të parë po luan në Ligën e Parë dhe është lider pa asnjë humbje deri më tani. Veseli njëherësh është edhe bashkëthemelues, kurse kryetar i Niklit është Naser Ramaj.

Lidhur me këtë, Veseli ka thënë se me dy klubet ka synime të ndryshme.

“Nuk ishte ndonjë ndjenjë e veçantë sepse synimet e Yllit dhe Feronikelit dallojnë. Ne jemi pretendent për të dy trofetë më të rëndësishëm në basketboll, ndërsa Feronikeli ambicie kryesore e ka të futet në Superligë dhe të fitojë Kupën e Ligës së Parë”, ka thënë Veseli për Koha.net.