Sport

“Ligjëratat e Sarrit të gjata, si orët e mësimit në shkollë”

Foto: Reuters

Nuk ka ditë që nuk kritikohet trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, në mediat në Angli që besojnë se shkarkimi i tij është shumë afër.

Të gjithë e kritikojnë për taktikat e tij, e një gjë të tillë së fundit e ka bërë edhe futbollisti Antonio Rudiger.

Mbrojtësi i Gjermanisë, nëse është për t’u besuar mediave angleze, ka thënë se ai dhe futbollistët e tjerë të skuadrës, janë lodhur me ligjëratat e trajnerit dhe se koha në zhveshtore i ngjan si një ore mësimi në shkollë, transmeton KTV.

25-vjeçari ka thënë se ekipi nuk po e përballon mirë stërvitjen e hershme, në ditën e lojës, që mund të ketë impakt negativ, por ai dhe të tjerët duhet ta kryejnë këtë punë patjetër.

Sarri, që ka humbur ndeshjet në ligë nga Arsenali, Bournemoouthi dhe është poshtëruar nga Manchester City, të hënën u mposht edhe në Kupën FA nga Manchester Unitedi.

Një gabim në ndeshjet e radhës, ndaj Malmos në Europa League apo ndaj Cityt në Kupën e Ligës, mund t’i kushtojë me shkarkim teknikut italian.