Sport

Henderson: S’është rezultati më i keq në botë

Foto: LFC

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson pas barazimit ndaj Bayernit në Anfield Road ka thënë se nuk është rezultati i keq, derisa është optimist për ndeshjen e kthimit.

Liverpooli e Bayerni u ndanë baras në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, duke barazuar 0-0, për të lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Allianz Arena më 13 mars, transmeton Koha.net.

“Jemi të zhgënjyer që nuk shënuam, por e mbajtëm portën e paprekur dhe u mbrojtëm mirë. Patëm mjaft raste, sidomos në pjesën e parë. Ky nuk është rezultati më i keq në botë. Niveli i performancës ishte i mirë por nuk u treguam efikas në finalizimin e rasteve”, ka thënë Henderson për BT Sport, duke shtuar se ishin paksa të pafat.

Ai thotë se ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, megjithatë Liverpooli do të udhëtojë për në Allianz Arena për ta lënduar Bayernin.

“Gjithçka është ende e mundur. Kemi disa ndeshje para se ta zhvillojmë atë të kthimit. Duhet të kemi ende besim. Do të jetë e vështirë por kemi përvojë në Ligën e Kampionëve, ne mund të shkojmë atje dhe t’i lëndojmë”, u shpreh Henderson.