Sport

Te Werderi presin edhe më shumë nga Rashica

Te skuadra e Werder Bremenit presin shumë nga reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, që ka shpërthyer këtë vit me katër gola në po aq ndeshje të zhvilluara. Trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt, për mediumet gjermane ka thënë se në pjesën pranverore pret shpërthimin e Rashicës, ndonëse ka pranuar se ai ende ka nevojë për t'u zhvilluar si futbollist.

"Miloti është një lojtar që mund të vendosë ndeshjen. Është një lojtar shumë i mirë, i cili po vazhdon të zhvillohet edhe më shumë", është shprehur Kohfeldt.

Rashica të mërkurën i është bashkuar ekipit në stërvitje pas dhimbjeve në shpinë që e detyruan të pushojë dhe pritet të jetë titullar në ndeshjen kundër Hertha Berlinit, të cilën Werderi e luan të shtunën (18:30) në udhëtim.

Ndërkohë Rashica ka thënë se do të mundohet të vazhdojë me paraqitje të mira deri në fund të këtij edicioni për ta ndihmuar ekipin që të arrijë synimet, transmeton Koha Ditore. 

"Te Werderi ka më shumë stres sesa te Vitesse, por unë këtu çdo ditë po mësoj diçka të re dhe do të mundohem të vazhdoj me lojërat e mira", ka thënë Rashica, i cili në janar të vitit të shkuar iu bashkua ekipit gjerman nga Vitesse.