Sport

Hendboll, Kosova e 28-a në ranglistën evropiane

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) është renditur në vendin e 28-të në ranglistën evropiane, duke lënë pas vetes 21 përfaqësuese të tjera të Evropës, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Kosova ka tubuar 44 pikë dhe e ndan pozitën e 28-të me Ishujt Faroe, ndërsa ka lënë prapa përfaqësuese të shteteve si Izraeli, Finlanda, Bullgaria, Greqia, Azerbajxhani e Gjeorgjia, përcjell Koha Ditore.

Ranglistës i prin Franca, e ndjekur nga Norvegjia, Holanda e Rusia. Rangimi i përfaqësueseve të femrave është publikuar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) në prag të kualifikimeve për "Euro 2020", që do të zhvillohet në Danimarkë e Norvegji.

Njëherësh, kjo ranglistë do të merret parasysh gjatë hedhjes së shortit për kualifikime, përkatësisht për ndarje të përfaqësueseve nëpër vazo.