Sport

Kastrati optimist për duelin me Rumaninë

Basketbollisti Erjon Kastrati ka lënë prapa lëndimin që e mbajti për katër muaj jashtë parketit, dhe është i gatshëm ta ndihmojë Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen kundër Rumanisë.

Kastrati, që është pjesë e ekipit slloven Olimpija, javën e ardhshme do t'i bashkohet Kosovës në grumbullimin për duelin me Rumaninë, që luhet më 24 shkurt në Prishtinë, në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B të raundit të dytë të parakualifikimeve për "Eurobasket 2021".

Kosova prej 18 deri më 23 shkurt do t'i mbajë stërvitjet në Prishtinë. Kastrati i mungoi Kosovës në dy ndeshjet e fundit, ku përfaqësuesja pësoi humbje nga Rumania e Maqedonia. Kosova është e fundit në grup me tri pikë pas tri humbjeve.

"Muajin e shkuar kam nisur stërvitjet dhe jam i gatshëm për ndeshjen me Rumaninë. Për fat të keq, në dy ndeshjet e kaluara nuk e ndihmova Kosovën, por tash me padurim po e pres duelin me Rumaninë", ka thënë Kastrati të premten për gazetën Koha Ditore. "Do të jetë një ndeshje e vështirë, por besoj që me ndihmën e tifozëve do të jemi në gjendje ta mposhtim Rumaninë për t'i mbyllur këto parakualifikime me triumf".

Kosova në gusht luan fazën e tretë të parakualifikimeve.