Sport

Skitaret Klea Vrella dhe Elba Kokaj përfunduan me sukses garat në EYOF Sarajeva 2019

Skitaret tona, Klea Vrella dhe Elba Kokaj, kanë përfunduar sot garat në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), Sarajeva dhe Sarajeva Lindore 2019.

Vrella e Kokaj garuan sot në sllallom të madh, në garat e mbajtura në Qendrën Skitare të Jahorinës në Sarajevë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Vrella zuri vendin 71, me kohë 3:22.27 sekonda nga të dy lëshimet (1:39.50 sekonda dhe 1:44.47 sekonda) ndërsa Kokaj të 72 me kohë 3:24.77 sekonda nga të dy lëshimet (1:40.87 sek. dhe 1:43.90 sek.).

Në total pjesëmarrëse ishin 101 garuese, kurse 29 dolën nga shtegu ose u diskualifikuan.

Trajneri Feim Kollqaku u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skitareve, marrë parasysh kushtet e vështira që mbretërojnë në Kosovë për këtë sport.

"Duke u nisur nga vetë gara, cilësia, kushtet dhe vetë konkurrenca e madhe e garueseve, ku ishin 46 shtete, vajzat i kanë përmbushur kërkesat tona, duke e përballuar këtë shteg të njohur të sllallomit të madh Olimpik përplot me akull. Për këtë i përgëzoj të dy skitaret, të cilat arritën ta përfundojnë garën me një sukses solid. Falënderoj edhe ndihmësin tim, Egzon Agani, për kontributin dhe bashkëpunimin e sinqertë që kishim gjatë këtyre ditëve”, tha Kollçaku.

Skitaret u shprehën të kënaqura me atë që treguan në sllallom të madh.

“Jam e kënaqur me rezultatin, marrë parasysh kushtet të cilat i kemi në Kosovë. Konkurrenca ishte shumë e fortë. Mendoj se garimi në EYOF është një përvojë e mirë për ne”, deklaroi Vrella.

“Sot jam paraqitur më mirë se sa në sllallom. Jam e kënaqur me rezultatin, besoj se do të punojë në të ardhmen që të përmirësohem edhe më shumë”, theksoi Kokaj.

Të dy skitaret ishin të vetmet që përfaqësuan Kosovën në EYOF. Ato të hënën garuan edhe në sllallom, në të cilin Vrella doli nga shtegu, ndërsa Kokaj u diskualifikua.