Sport

Skitaret e reja Vrella dhe Kokaj presin rezultat të mirë nesër në sllallomin e madh

Kushtet atmosferike që po mbretërojnë në Qendrën Skitare të Jahorinës në Sarajeve, kanë pamundësuar zhvillimin e përgatitjes së sotme të dy skitareve nga Kosova, Klea Vrella e Elba Kokaj, para sllallomit të madh që zhvillohet nesër.

Vrella e Kokaj po e përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF) 2019, që po mbahet në Sarajevë, bën të ditur KOK-u përmes një komunikate për media.

Pavarësisht mos zhvillimit të përgatitjes së sotme, KOK-u thotë se ekipi kosovar është i gatshëm për sllallomin e madh, transmeton Koha.net.

“Të hënën të dy skitaret tona garuan në sllallom, por shkaku i kushteve atmosferike dhe shtegut të rënduar, Klea Vrella doli nga shtegu, kurse Elba Kokaj u diskualifikua për shkak të një gabimi. Nga 102 garuese, 48 dolën nga shtegu ose u diskualifikuan”, thuhet në komunikatë.

Vrella dhe Kokaj shpresojnë se nesër do të kenë paraqitje më të mirë.

“Për garën e nesërme uroj të jetë koha e mirë dhe atmosfera e mirë, dhe po ashtu të kemi rezultat të mirë. Ndërsa për dje, nuk jemi vetëm ne që kemi dështuar në sllallom, por ishin edhe 50 garuese tjera nga shtetet tjera që dolën nga shtegu”, deklaroi Vrella, kampione e Kosovës për të reja në sllallom dhe sllallom të madh.

E edhe Kokaj pret rezultat më të mirë.

“Dje (e hënë) shkaku i kushteve dhe një gabimi tim, unë dhe 50 garueseve tjera na kushtoi me diskualifikim dhe mos përfundim të garës. Ndërsa për nesër presim që koha të jetë e mirë dhe të kemi rezultat më të mire se dje”, theksoi 17-vjeçarja, Kokaj.

Gara e sllallomit të madh nesër nis në ora 10:00.