Sport

Ramadani fiton medalje të bronztë në Kampionatin Ballkanik

Descriptive Text

Të dielën në Stamboll të Turqisë është zhvilluar Kampionati Ballkanik i atletikës në palestër për grupmoshën U-20.

Kosovën në këtë ngjarje e përfaqësuan gjashtë atletë, ndërsa medalje ka fituar Muhamet Ramadani në hedhje të gjyles, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai është renditur i treti.

Ramadani ka pasur hedhjen më të mirë prej 17:35 metrash që ishte e mjaftueshme për medaljen e bronztë. Rekordi i tij mbetet 17,72 metra. Ramadani po vlerësohet prej atletëve më perspektivë në vend.

Në hedhje ka kohë që Kosovës i kanë munguar atletët e talentuar, ndërsa Muhamet Ramadani falë përkrahjes së madhe të babait të tij po përparon shpejt dhe po premton shumë për të ardhmen.

Ai është ende 16-vjeçar dhe në Kampionatin Ballkanik në Stamboll ishte dukshëm më i riu prej tetë atletëve që garuan në hedhje të gjyles.

Hedhjet që bën ai, distanca e arritur, por edhe konstrukti trupor, japin shpresë për një atlet elitar.