Sport

Prishtina “turpëron” kampionin

Foto: KB Prishtina / Instagram

Pas kualifikimit historik në Fiba Europa Cup, klubi i basketbollit Prishtina iu kthye Superligës e përballe kishin Bashkimin, kampionin në fuqi të cilin e mposhti me lehtësi 109:78.

Prishtina në këtë ndeshje hyri me ndryshime pasi nga klubi u larguan dyshja amerikane, Kyan Anderson dhe DeMario Maifeld, raporton KTV.

Përveç këtyre dy lojtarëve, nga kryeqytetasit u përfol se mund të largohet edhe trajneri Damir Mullaomeroviq.

Por drejtuesit e klubit “bardhekaltër”, në një konferencë për media gjatë të shtunës, kanë sqaruar të gjitha.

Në këtë takim, për shkak të lëndimeve nuk u paraqiten dyshja Dardan Berisha dhe Bukiqu, por kjo nuk i ndali “bardhekaltrit” të marrin fitoren e 18-të këtë sezon në po kaq ndeshje.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë me nikoqirët që fal dyshes Myels e Bashir, krijuan epërsi prej 20 pikëve 27:7, kur kishin kaluar vetëm pesë minuta nga çereku i parë.

Loja e mirë e kryeqytetasve bëri që periudha e parë të mbyllet në favor të vendasve 34:14.

Kur pritej reagimi i udhëtuesve, një gjë të tillë nuk e lejuan nikoqirët.

Vendasit përfitonin nga gabimet e shumta të “portokallëzinjëve” që dështonin nga pozitat ideale për pikë.

Fantastikë në këto dy periudha ishin dyshja amerikane e Prishtinës, Myles dhe Bashir që shënuan 19 pikë respektivisht 18 pikë, për ta dërguar skuadrën e tyre në pushim me epërsi prej 24 pikëve 59:35.

Loja e mirë e kryeqytetasve vazhdoi edhe në etapën e tretë. Në këtë çerek shpërtheu Meriton Ismajli, duke shënuar katër treshe, i ndihmuar edhe nga kapiteni Azemi e Myles.

Pikët e shpejta dhe mbrojtja e fortë bëri që vendasit të hyjnë në periudhën e fundit me 34 pikë dallim, 87:53.

Në periudhën e fundit udhëtuesit hynë të dorëzuar e nga ana tjetër vendasve ju shkonte gjithçka për dore.

Madje “bardhekaltrit” krijuan epërsi deri në 41 pikë që ishte më e larta deri në këtë takim.

Mayels në këtë takim ishte fantastik duke e mbyllur ndeshjen me 32 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime.

Te Bashkimi me lojë të mirë u dallua Jordan Marshall me 27 pikë.