Sport

Me gjithë ngritjen e Kastriotit, te Besa presin të vazhdojnë dominimin

Pas një kohe të gjatë Besa Famgas nuk do të nisë stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll nga pozita e parë. Skuadra pejane ka 26 pikë nga 14 ndeshjet e para, aq sa i ka edhe Kastrioti, që për shkak të goldallimit më të mirë është i pari në tabelë, ndonëse përballjen direkte me Besën e ka humbur, shkruan sot Koha Ditore.

Por te Besa janë optimist që do të vazhdojnë dominimin në hendbollin kosovar. Skuadra pejane ka fituar pesë titujt e fundit, ndërsa thuajse në të gjitha pesë edicionet e kaluara ishte pa konkurrencë të denjë. Këtë edicion Kastrioti po e rivalizon fuqishëm, por edhe Prishtina, që ia ka shkaktuar humbjen e vetme në vjeshtë. Prishtina është e treta në tabelë me 24 pikë.

Stinori pranveror në kampionatin e Kosovës në hendboll nis këtë fundjavë, kur luhen ndeshjet e xhiros së 15-të. Nuk pritet të ketë telashe për Besën e Kastriotin që të fitojnë pikët e reja.

Besa të shtunën (sot) luan në shtëpi ndaj Dritës, që në afatin kalimtar të janarit është dobësuar ndjeshëm. Kastrioti i Ferizajt të dielën luan në udhëtim ndaj Vushtrrisë dhe vlerësohet favorit i madh. Por forca e dy skuadrave lidere do të testohet menjëherë në xhiron e 16-të, kur të përballen mes vete në Ferizaj.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).