Sport

‘89-shi shpreson ta shfrytëzojë mundësinë e vetme për dalje në Evropë

Trepça '89 mundësinë e vetme për të siguruar daljen në garat evropiane edicionin e ardhshëm e ka përmes garës për Kupë të Kosovës.

Për këtë futbollistët e ekipit nga Mitrovica do të japin çdo gjë nga vetja për ta fituar ndeshjen çerekfinale që e luajnë në udhëtim kundër Prishtinës. Prishtina është lidere në Superligën e Kosovës dhe kështu i ka dy mundësi për dalje në Evropë.

Ndeshja mes Prishtinës e Trepçës '89 luhet në stadiumin "Fadil Vokrri" të dielën prej orës 15:00. Në çerekfinale luhet vetëm nga një ndeshje. Ndërkohë, me ndeshjet çerekfinale që zhvillohen të shtunën (sot) e të dielën (nesër), nisin garat e futbollit në vend për vitin 2019. Ndeshja më interesante çerekfinale vlerësohet ajo që luhet në Prishtinë.

Trajneri i Trepçës '89, Sabit Osmani, e ka parasysh se nuk do të jetë lehtë eliminimi i Prishtinës që është favorite. Mirëpo thotë se ekipi i tij ka vetëm këtë opsion për të shpresuar daljen në Evropë, pasi në kampionat është shumë larg. Trepça '89 stinorin vjeshtor e ka mbyllur në pozitën e tetë me 22 pikë, 18 më pak se Prishtina që është kampione dimri.

Të dy skuadrat për këtë ndeshje pritet të jenë të kompletuara derisa Prishtina nuk e ka bërë asnjë përforcim në afatin kalimtar të janarit. Ndërkohë Trepça '89 ka pasur më shumë largime sesa afrime. Ka larguar shtatë lojtarë për të sjellë pesë - Engjëll Hotin, Taulant Avdylin, Albert Kaçikun, Franck Herman e Traore Lassine. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).