Sport

Lojtarët që bëjnë me duar VAR-in do të ndëshkohen

Descriptive Text

Futbollistët që do të bëjnë gjestin për ekran të televizorit duke apeluar për rishikim të situatave të caktuara me VAR, në garat e UEFA-s, do të ndëshkohen me karton të verdhë, ka bërë të ditur institucioni më i lartë i futbollit në Evropë.

Sikurse Premier Liga, edhe UEFA kishte shtyrë prezantimin e video-asistencës së gjyqtarëve (VAR), por tani është zotuar se do ta përdorë në raundin e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve, Evropa Ligë dhe në Ligën e Kombeve e në Euro 2020.

Në një njoftim për media para Kongresit të UEFA-s të së enjtes, shefi i gjyqtarëve të kësaj konfederate, Roberto Rosetti, ka shpjeguar se ruajtja e autoritetit të gjyqtarit për VAR-in ishte kyç i suksesit të tij deri tash. Këtë ka thënë se duan ta ruajnë duke ndëshkuar lojtarët që bëjnë presion duke apeluar për VAR-in.

“Çdo lojtar që bën me duar ekranin e televizorit duhet të ndëshkohet. Nëse ata e rrethojnë gjyqtarin, duhet të ketë intervenim disiplinor. Duam veprime ndaj këtyre situatave”, ka thënë Rosetti.