Sport

Kombëtarja shqiptare e futsallit po përgatitet në Prishtinë për “Lituania 2020”, optimiste për fazën e parë

Descriptive Text

Kombëtarja Shqiptare e Futsalit është duke kryer një minifazë përgatitore në Prishtinë në prag të ndeshjeve eliminatore për kualifikimin në Kampionatin Botëror Lituani 2020.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli janë duke u përgatitur intensivisht me nga dy seanca stërvitore në ditë. 20 lojtarë janë grumbulluar për këto eliminatore që do të zhvillohen në Maqedoni nga data 31 janar deri më 3 shkurt.

“Duhet trepikëshi me çdo kusht, dhe me këto tre pikë që është gjysma e punës mund të shpresojmë të kualifikimi, sepse me 6 pikë kalojmë, duke qenë se kualifikohen dy skuadrat e para. Më pas kundra Greqisë dhe Maqedonisë do të japim të gjitha energjitë për të kaluar si vendi i parë. Jemi të gjithë lojtarë që luajmë jashtë, luajmë në ekipe profesioniste dhe i shikoj të përgatitur mirë fizikisht e taktikisht. Më vjen keq për mungesën e Azemit, sepse për ne ka qenë një lojtar historik dhe ndihet”, u shpreh kapiteni Roald Halimi, transmeton ATSH.

I kënaqur me gjendjen e skuadrës dhe përgatitjet që janë kryer është shfaqur edhe trajneri Resuli, që vlerëson shumë impenjimin e lojtarëve në stërvitje dhe pret nga ta maksimumin në ndeshjet që startojnë nesër.

“Ne do të japim maksimumin dhe forca e grupit është kryesorja. Kundërshtarët janë të fortë, Maqedonia është shumë e fortë, Greqia është në nivelin tonë. Ne do të japim maksimumin dhe mendojmë se do të kualifikohemi. Ky është sport i çuditshëm që merr rrjedhë të ndryshme shumë shpejt me sekonda e minuta, sport shumë ekspresiv. Për këtë arsye po i sjellim lojtarët në gjendjen optimale nga ana taktike dhe teknike. Forca e grupit, ana taktike dhe forca fizike do na sjellin kualifikimin”, theksoi në fjalën e tij trajneri Kombëtares së Futsalit, Erind Resuli.

Më poshtë kalendari i ndeshjeve:

31.01.2019

Shqipëri – San Marino 17:30

Maqedoni – Greqi 20:00

01.02.2019

Greqi – Shqipëri 17:30

Maqedoni – San Marino 20:00

03.02.2019

San Marino – Greqi 17:30

Maqedoni – Shqipëri 20:00.