Sport

Ministri i Brendshëm italian e quan mercenar Higuainin

Sulmuesi i huazuar nga Chelsea, Gonzalo Higuain, sipas ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, është një “mercenar”.

Sulmuesi argjentinas u largua nga huazimi te Milani për të kaluar në Londër, ku u ribashkua me trajnerin Maurizio Sarri.

“Jam i lumtur që Higuaini është larguar”, ka thënë fansi i Milanit, Salvini, raporton “AFP”. “Shpresoj të mos e shoh më kurrë në Milan sepse është sjellë në mënyrë shumë të padenjë”.

Salvini, që është edhe zëvendëskryeministër, shtoi: “Nuk më pëlqejnë mercenarët në politikë ose futboll”.

31-vjeçari shënoi tetë gola në 22 ndeshje sa ishte i huazuar te Milani në pjesën e parë të sezonit.

“Blutë” e kanë huazuar ish-lojtarin e Napolit për pjesën e mbetur të sezonit me opsionin për blerje prej 36 milionë eurove gjatë verës.

Milani e zëvendësoi Higuainin me transferimin e sulmuesit Krzysztof Piatek.

“Më pëlqen Piateku shumë, plus ai ka pasaportë të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Salvini.