Sport

Dy skuadrat lidere kanë 20 reprezentues në radhët e veta

Fushata kualifikuese për botërorin e futsallit "Lituania 2020", që nis javën e ardhshme, ka nxjerrë në pah peshën e disa prej ekipeve të Superligës së Kosovës në futsall, veçanërisht Prishtinës dhe Liburnit, shkruan sot Koha Ditore.

Të dy këto ekipe elitare që këtë edicion po luftojnë për titullin e kampionit të Kosovës në futsall, për këto kualifikime kanë furnizuar tri përfaqësuese me lojtarë: Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë. Të dyja bashkë do t'i kenë 20 lojtarë të angazhuar gjatë javës së ardhshme: 11 Liburni dhe 9 Prishtina.

Si Kosova ashtu edhe Shqipëria do të paraqiten në raundin paraeliminator të botërorit. Kosova bën pjesë në një grup me Norvegjinë, Andorën dhe Bjellorusinë, kurse ndeshjet do të zhvillohen në Bjellorusi (29 janar - 3 shkurt).

Dy ekipet e para të grupit do të avancojnë në raundin tjetër të garave. Shqipëria bën pjesë në një grup me Greqinë, San Marinon dhe Maqedoninë, kurse kjo e fundit do të jetë organizatore e turneut.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).