Sport

Gjyqtarët kosovarë njoftohen me rregullat e reja në karate

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ka nisur kampionati i Kosovë, në karate.

Në Kampionatin e Kosovës janë duke marrë pjesë edhe kryetari i komisionit të gjyqtarëve botërorë Javier Escalante nga Suedia, sekretari i komisionit botëror Robert Hamara nga Norvegjia, Alois Vajsbok nga Austria dhe Franqeska Marquez nga Spanja, transmeton KTV.

Së bashku me kampionatin e Kosovës, në karate është duke u mbajtur edhe seminari teorik në lidhje me rregullat e reja të garave (në dy disiplina Kumite dhe Kata), të cilat janë efektive nga 1 janari 2019 dhe të aprovuara nga Federata Botërore e Karatesë.

“Gjatë viteve të fundit, Kosova është rritur, sidomos në karate dhe jo vetëm në aspektin olimpik, por edhe në atë teknik. Në mesin e referëve, sot Kosova ka referë botërorë dhe kontinentalë, diçka që s’ka ndodhur më herët. Gjithashtu rezultatet e garuesve kosovarë janë të mira në garat ndërkombëtare. Nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë, me investime në aspektin ekonomik, besoj që e ardhmja do të jetë e ndritshme”, është shprehur Escalante për KTV.

Risi tjetër në këtë kampionat do të jetë sistemi i ri i video kamerave të cilat janë duke u përdorur nga gjyqtarët për ndarje të drejtësisë dhe sistemin e ri të notimit digjital.

Në këtë kampionat po marrin pjesë 146 karateistë nga 30 ekipe nga e gjithë Kosova.