Sport

John Carew, futbollisti që po shkëlqen si aktor dhe fotograf

John Carew ka gati shtatë vjet që është tërhequr nga futbolli aktiv. Të gjithë kanë pritur që ai t'i përkushtohet edhe më tutje këtij sporti, pasi nga fundi i karrierës ndoqi edhe trajnimet për trajner dhe mori licencat e duhura.

Mirëpo, Carew 39-vjeçar ka befasuar shumëkë kur ka vendosur t'ia kthejë shpinën sportit që i dha shumë para dhe famë.

Ish-sulmuesi i gjatë 195 centimetra ka disa vite që i është përkushtuar karrierës si aktor dhe si fotograf, transmeton Koha Ditore.

Tashmë ka luajtur në disa filma të zhanreve të ndryshme. Ka debutuar në filmin horror "Dead of Winter", produksion kanadez dhe nga ajo kohë gjërat po i shkojnë mirë.

Pastaj ka pasur rolin kryesor në filmin aksion "Hovdinger", produksion norvegjez, derisa në dramën "Heimebane" ka luajtur rolin e futbollistit. Ai ka fituar tri herë rresht çmimin si aktori me paraqitjen më të mirë në Norvegji, por edhe për rolin më të mirë në dramë.

"Gjithmonë e kam dashur aktrimin, por për shkak të angazhimeve që i kisha si futbollist nuk kam mundur t'i përkushtohem. Pas tërheqjes nga futbolli, vendosa të ndjek ëndrrën që e kam pasur si fëmijë dhe gjërat po shkojnë shumë mirë", është shprehur Carew. "Nuk po e ndiej mungesën e futbollit, pasi famë po bëj edhe me aktrim. Është një botë tjetër në të cilën jam përshtatur shumë mirë dhe kam synime të mëdha për të ardhmen". (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).