Sport

Pas 11 vizitave në “Bernabeu” Sevilla synon ta mposhtë Realin

Kryendeshja nga La Liga spanjolle zhvillohet në Bernabeu të shtunën nga ora 16:15, aty ku Real Madridi e pret Sevillën.

Nga pesë ndeshjet e fundit, Solari e Reali kanë rezultate të ndryshueshme, por vetëm dy fitore, përfshirë edhe humbjen e javës së kaluar në shtëpi nga Sociedadi, transmeton KTV.

Nuk janë më mirë në këtë aspekt as mysafirët nga Sevilla që kanë fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit, edhe pse janë një pozitë më mirë në ligë se Reali, falë goldallimit.

Ndeshja e parë e këtij sezoni, në shtator të vitit të kaluar i takoi bindshëm Sevillës që fitoi 3:0, mirëpo në Bernabeu andaluzianët kanë pësuar në 11 vizitat e fundit.

Solari mund të llogarisë në kthimin e Benzemas, por do të mungojnë Bale, Asensio, Kroos e portieri Courtois.

Sevilla udhëton në Madrid pa mesfushorët Gonalons dhe Nolito.

Barcelona – Leganes do të duhej të ishte një duel me pak rëndësi, por katalunasit e kujtojnë mirë skuadrën e vogël, që i shkaktoi humbjen e parë të sezonit, në fund të shtatorit të kaluar.

Nga pesë ndeshjet e vetme të zhvilluara të këtyre dy skuadrave, katër prej tyre i kanë takuar Barcës, por Leganes së fundit ka mposhtur edhe Real Madridin, në Kupën e Mbretit, andaj blaugrana, do t’i qaset kësaj ndeshjeje me shumë seriozitet.