Sport

Botërori 2022 me 48 skuadra, Federatat mbështesin Infantinon

Shumica e Federatave të Futbollit e përkrahin rritjen e numrit të kombëtareve për Botërorin e Katarit në vitin 2022, ka thënë presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino.

Deri më tani kanë marrë pjesë 32 kombëtare në Botëror, por sipas Infantinos, ky numër pritet të rritet në 48 pjesëmarrës, në Botërorin e ardhshëm që do të mbahet në Katar, pas tri vjetëve, transmeton KTV.

FIFA do të vendos rreth kësaj jo më larg se qershori i këtij viti, pasi të bëhet studimi i fisibilitetit, ka thënë Infantino.

FIFA kishte votuar në vitin 2017 për rritjen e pjesëmarrësve në Botëror, por nga viti 2026, dhe që nga atëherë Infantino ka lobuar që numri i Kombëtareve në Botëror të shtohet për kampionatin e ardhshëm.

"Njerëzit nga Katari janë të hapur për diskutimet lidhur me numrin prej 48 kombëtareve, pasi nuk do të jetë e lehtë të organizohet një Botëror me kaq shumë ekipe, pasi janë 16 më shumë. Ideja është që ndeshjet të zhvillohen edhe jashtë Katarit, në vendet fqinje, por ju e dini shumë më mirë se unë, situatën politike me shtetet përreth. Kjo është një ëndërr, por ne kemi përkrahjen e shumicës së federatave për ta rritur numrin e pjesëmarrësve”, ka thënë Infantino.