Sport

Milani mund ta marrë lojtarin që e zbuloi tetë vjet më parë në Prishtinë

Descriptive Text

Që në vitin 2011, si 12-vjeçar, Edon Zhegrova kishte shkëlqyer me fanellën e Milanit në trup. Ishte skenë e vogël ajo në të cilën futbollisti aktual i Kosovës mori shkëlqimin, shkruan sot Koha Ditore.

Ai u zgjodh më i miri në "Milan Junior Camp", që për disa vite u mbajt në Kosovë. Një vit më vonë, Zhegrova bëri një udhëtim për në Milano, për të marrë pjesë në ngjarjen "Milan Day". Një udhëtim tjetër, por për të qëndruar më gjatë te Milani, ka gjasë ta bëjë në të ardhmen e afërt.

Të martën mediat italiane që merren me transferim të lojtarëve, kanë shkruar se Milani ka shënjestruar Zhegrovën.

"Milani mund të ketë shënjestruar Edon Zhegrovën, lojtarin e Genkut të lindur në vitin 1999. Leonardo ka marrë indikacione të shkëlqyeshme nga skautët e Milanit dhe po shqyrton mundësinë të hedhet në ofensivë për talentin kosovar", ka shkruar sajti "milannews.it".

Kalimi eventual te Milani do të ishte lëvizje ëndrrash për kosovarin. Milani, ndonëse pa shumë rezultate në vitet e fundit, është prej skuadrave më të mëdha evropiane të futbollit. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).