Sport

Neymari më i vlefshmi në botë, Ronaldo mbetet jashtë top 10-shes

Descriptive Text

Ylli i PSG-së, Neymar është futbollisti më i vlefshëm në botë, derisa Mohamed Salah është më i vlefshmi në Premier Ligë duke mposhtur një konkurrencë të fortë, kurse jashtë top dhjetëshes ka mbetur Cristiano Ronaldo, sipas KPMG-së.

Ekspertët financiarë të KPMG kanë zbuluar vlerat e futbollistëve kryesorë të Evropës, me 26 vjeçarin brazilian që mban vendin e parë. Kartoni i tij vlerësohet 206.5 milionë funta (230 milionë euro).

Vendi i dytë i përket sërish një futbollisti të PSG-së, me Kylian Mbappe që ka një vlerë prej 193.8 milionë funta (216 milionë euro). Vetëm vendi i tretë për Lionel Messin, që vlerësohet rreth 10 milionë funta më pak se fituesi i Topit të Artë për të rinj në vitit 2018.

Futbollisti i Liverpoolit, Mohamed Salah është lojtari më i çmuar i Premier Ligës, me vlerën 151.6 milionë funta (169 milionë euro), duke lënë pas bomberin e kombëtares së "Tre Luanëve", Harry Kane, transmeton OraNeës. Kartoni i sulmuesit të Tottenhamit vlerësohet me rreth 136.1 milionë funta (152 milionë euro).

Pas Kane renditet futbollisti i Chelseat, Eden Hazard, që për aftësitë e tij vlerësohet me 133.5 milionë funta (149 milionë euro), i ndjekur nga Kevin de Bruyne i Manchester City me 116.6 milionë funta (130 milionë euro).

Antoine Griezmann, sulmuesi francez i Atletico Madrid vlerësohet me 113.2 milionë funta (126 milionë euro), ndërsa lista e 10 futbollistëve më të vlefshëm kompletohet nga ylli i Manchester Unitedit, Paul Pogba 107,5 milionë funta (120 milionë euro), dhe Philippe Coutinho me 106.5 milionë funta (118 milionë euro).

Befasia e kësaj liste është padyshim Cristiano Ronaldo, vlera e së cilit përllogaritet në 96.5 milionë funta (107 milionë euro). Mosha e Ronaldos, i cili në shkurt feston ditëlindjen e tij të 34-t është arsyeja kryesore se kapiteni i Portugalisë nuk është më lart në listë.