Sport

Bale i ndjeshëm si xhami, pëson lëndimin e 22-të te Reali

Gareth Bale duke çaluar, fytyra e tij e zymtë dhe kontrollimi i pulpës së këmbës së majtë nga mjekët e Real Madridit, tashmë janë skena të njohura për tifozët e klubit.

Me lëndimin e fundit që e pësoi të enjten mbrëma në barazimin 2:2 kundër Villarrealit, Bale ka regjistruar lëndimin e 22-të qëkur është pjesë e Real Madridit. Të enjten ishte hera e 13-të që Bale u detyrua ta lëshonte fushën, dhe në total shkaku i lëndimeve uellsiani i ka munguar Realit në 84 ndeshje prej vitit 2013 kur u transferua nga Tottenhami për 101 milionë euro dëmshpërblim.

Bale ishte titullar ndaj Villarrealit, por lëndimi bëri që ai të zëvendësohej me të përfunduar pjesëloja e parë nga mesfushori Isco. Ende nuk është konfirmuar se për sa kohe do të mbetet jashtë fushës, por trajneri i Realit, Santiago Solari ka pranuar se mungesa e uellsianit vërehet në ekipin e tij. Bale 29-vjeçar këtë sezon ka shënuar dhjetë gola e ka dhënë pesë asistime në 23 paraqitje në të gjitha garat.

"Lëndimi i Balet na i prishi ekuilibrat ndaj Villarrealit, ndeshje që po të mos lëndohej ai do ta kishim fituar. Largimi i tij ndikoi shumë dhe ai nuk mundi të vazhdojë më shumë për shkak të goditjes që e mori. Shpresoj që Bale të jetë sa më shpejt i gatshëm për lojë, pasi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne", është shprehur Solari.

Bale vazhdimisht po ka probleme muskulore. Gati në çdo stërvitje kërkon ndihmë për t'i liruar muskujt për shkak të shtrëngimeve të forta. Në të shumtën e rasteve, lë edhe stërvitjet në gjysmë sikurse ndeshjen e fundit me Villarrealin. Në klub çështja e lëndimeve të Balet është private, pasi gjithmonë kur jepet njoftimi thuhet se uellsiani ka pësuar vetëm tërheqje muskulare.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).