Sport

Grezda po adaptohet te gjiganti skocez

Sulmuesi i krahut, kosovari Eros Grezda, në një intervistë dhënë të mërkurën për televizionin e Glasgow Rangers ka thënë se gradualisht po adaptohet tek ekipi i madh i Skocisë, transmeton Koha Ditore.

Grezda që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë para fillimit të këtij edicioni u transferua te Rangersat nga Osijeku për dy milionë euro dhe firmosi kontratë deri në verën e vitit 2022. Ai deri më tash ka 14 paraqitje te Glasgow në të gjitha garat, kurse në kampionat ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim.

Ai beson se vitin e ardhshëm do të jetë edhe më efikas për të ndihmuar ekipin e drejtuar nga Steven Gerrard të mbetet në garë për titullin e kampionit.

"Më pëlqen gjithçka këtu, duke nisur nga qyteti, klubi, trajneri, lojtarët dhe tifozët. Po ndihem shumë mirë dhe kam filluar të adaptohem me të gjitha në këtë ambient të ri", është shprehur Grezda.

"Edhe me paraqitjet jam i kënaqur, por mund të jem edhe më efikas. Edicioni është i gjatë, kurse ne po bëjmë paraqitje të mira. Besoj se vitin tjetër do të luajmë edhe më mirë dhe do ta mbajmë hapin për titullin e kampionit që është shumë i rëndësishëm për të gjithë".

Grezda te Rangersi është transferuar si përforcim i madh, pasi është pëlqyer nga trajneri Gerrard.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).