Sport

Vëlla e motër, kampionë të KOHËS në edicionin jubilar

Descriptive Text

Nora e Akil Gjakova, vëlla e motër xhudistë, janë kampionë të Evropës, e nga e mërkura edhe të Grupit KOHA.

Nora dhe Akili janë shpallur Sportistë të Vitit 2018 në edicionin jubilar të Grupit KOHA, të njëzetin, që të mërkurën mbrëma u mbajt në hotelin "Emerald" në Prishtinë.

Për Norën, ky është çmimi i shtatë rresht i Grupit KOHA, ndërkohë për Akilin i pari në nivel senior, por të mërkurën të dy ishin të barabartë. Dhe të dy u ngjitën njëherësh në skenë për të marrë shpërblimet.

Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, pasi shpalosi një copëz historie të "Sportistit të Vitit", traditë e nisur më 1997, ftoi vëlla e motër për momentin kulmor të mbrëmjes gala.

Këto ishin çmimet kryesore, por gjatë mbrëmjes u ndanë edhe nëntë shpërblime të tjera dhe shumë e shumë emocione.

"Ky çmim për mua është i veçantë dhe jam dyfish e gëzuar, sepse më i miri u shpall edhe vëllai im, Akili", ka thënë Nora.

Ajo vitin 2018 po e mbyll si më të suksesshmin në karrierën e saj. Fitoi ndër të tjera titullin e Evropës, të Lojërave Mesdhetare dhe shumë medalje të tjera nga ngjarjet e mëdha.

Njësoj, edhe Akili këtë vit u shpall kampion i Evropës, por në grupmoshën U23. Ai fitoi edhe Grand Slamin e Parisit, që llogaritet ndër garat më të mëdha në botë, Lojërat Mesdhetare dhe shumë medalje të tjera.

"Ka qenë një vit fantastik, por viti 2019 do të jetë me plot sfida. Shpresoj të kem suksese edhe vitin e ardhshëm", ka thënë Akili.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).