Sport

Garë e fortë në jubileun e “Sportistit të Vitit”

Në kohë të vështira, në vitin 1997, gazeta "Koha Ditore" vendosi të shpallë sportistin më të mirë të vitit në Kosovë, si mirënjohje për sportistët e vendit dhe për kontributin e tyre të madh.

Ishte kohë okupimi, kur për sportin e sportistët me rëndësi ishte të mbaheshin aktivitetet e pavarura. Por edhe në ato rrethana kërkoheshin rezultatet e sukseset dhe kishte sportistë që dalloheshin prej të tjerëve. Kështu atleti Zijadin Kryeziu u shpall sportisti më i mirë i 1997-s në Kosovë, për të arriturat e tij në atë vit.

Kështu nisi një praktikë që shpejt u shndërrua në traditë të bukur të fundvitit. Për shkak të luftës, në vitet 1998 e 1999, "Koha Ditore" nuk shpalli më të mirët, ndërsa prej vitit 2000 e tutje i ka shpallur vazhdimisht, në një ceremoni të mbajtur në dhjetor e që ka mbledhur vazhdimisht shumë sportistë e njerëz të sportit.

Pas luftës shpallja ishte e përbashkët e gazetës "Koha Ditore" dhe televizionit KTV e ndërkohë u përmblodh si shpallja e më të mirëve nga Grupi KOHA.

Të mërkurën (sot), Grupi KOHA shpall më të mirët e vitit për herë të 20-të, jubilare. Ceremonia mbahet në hotelin "Emerald" në afërsi të Prishtinës dhe nis në orën 19:30. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).