Sport

Vettel i shkruan letër Ferrarit, e bën të qartë objektivin e tij për 2019-ën

Fundi i vitit është një periudhë kur të gjithë bëjnë bilancet dhe japin urimet e tyre për vitin pasardhës.

Piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel ka bërë diçka të ngjashme, teksa ka publikuar një letër drejtuar skuadrës së tij. Ai e ka bërë të qartë objektivin për vitin 2019, që është padyshim fitorja e kampionatit të Formulës 1.

“Ju falënderoj të gjithëve për gjithçka. Edhe pse nuk arritëm dot të sjellim titullin botëror në Maranello, mund ta themi me zë të lartë që dhamë maksimumin, e duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Duhet të përveshim mëngët, të përpiqemi të komunikojmë më mirë mes nesh, me besim e vlerësim reciprok. Të ndihmojmë njëri-tjetrin për gjithçka. Vetëm duke punuar si një skuadër e fortë dhe e bashkuar mund ta bëjmë hapin tjetër”, shkruan Vettel në letrën e tij.

Në letrën e tij, Vettel bëri edhe një premtim personal, që ka të bëjë pikërisht me objektivin e “kokëkuqes” italiane.

“Ju premtoj se për vitin 2019 do të jap gjithçka mundem për të arritur objektivin tonë madhor”, vijon letra e Vettelit. “Ju uroj të gjithëve më të mirat e faleminderit shumë, Sebastian!”.

Pas një faze të parë shumë të mirë të sezonit 2018 në Formulën 1, Sebastian Vettel humbi shumë terren kundrejt rivalit Lewis Hamilton në pjesën e dytë të tij, e në fund u mposht sërish nga britaniku, që siguroi titullin e pestë për pilotë në karrierë./TopChannel