Sport

Solskjaer: Do t’i bëj futbollistët ta shijojnë futbollin përsëri

Foto: Reuters

“Do t’i bëj futbollistët ta shijojnë futbollin përsëri”, ka deklaruar trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, që e zuri vendin e të shkarkuarit Jose Mourinho.

45-vjeçari Solskjaer do ta marrë drejtimin e skuadrës së “Djajve të Kuq” në formë jo të mirë, pasi klubi momentalisht është në vendin e gjashtë në Premier League, transmeton KTV.

Norvegjezi tha për “Manchester United TV” se dëshiron që t’i shohë futbollistët teksa e shprehin veten duke dhënë më të mirën, deri në fund të sezonit.

Mourinho u shkarkua pasi nuk pati suksese të mëdha sivjet pavarësisht se i harxhoi 400 milionë funte në 11 futbollistë për dy vjet e gjysmë sa ishte në krye të skuadrës.

Solskjaer nga ana tjetër i kaloi 11 edicione në “Old Trafford”, madje e shënoi edhe golin e fitores në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1999, dhe tha se ky rikthim është si në shtëpi.

“Duhet t’u kthehemi fitoreve dhe të jemi në luftë për trofe. Çfarëdo që ka ndodhur, ka ndodhur tashmë, dhe të gjithë tani duhet të fillojnë nga e para”, tha Solskjaer, i cili u premtoi tifozëve se do të japë gjithçka për t’i sjellë suksese përsëri skuadrës.

Ndeshja e parë e norvegjezit do të jetë në Cardiff, skuadër te e cila i kaloi tetë muaj si trajner në vitin 2014.

Ai ra nga Premier League me “Bluebirds” në po atë vit, e më pas u shkarkua pas rezultateve të dobëta në kampanjën e re të “Champiohnshipit”.

Molde në Norvegji fillimisht nga viti 2011, për tre vjet, ai e fitoi ligën norvegjeze dy herë dhe një herë Kupën e Norvegjisë.