Sport

Reali mungon në këtë xhiro të La Ligës, Barça përballet me Celta Vigon

Kryesuesja e tabelës dhe kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, do të ketë përballë Celta Vigon në fundjavë, të shtunën në ora 18:30, kurse Real Madridi nuk do të zhvillojë lojë këtë xhiro, pasi është në finale të Kupës së Botës për Klube.

Gjashtë duelet e fundit Barcelona – Celta Vigo kanë dhuruar plot 32 gola, dhe padyshim se në sezonet e fundit ky ka qenë një nga ballafaqimet më interesante, transmeton KTV.

Celta udhëton në Kataluni si ekipi me sulmin e tretë më të mirë në La Liga dhe me Barcelonën kryesuese në këtë statistikë, ka gjasa që të shohim përsëri një ndeshje me shumë gola të realizuara.

Edicionin e kaluar të dyja përballjet përfunduan me rezultat identik, 2:2.

Lojën e kaluar kundër Levantes, Barçës i mungoi Nelson Semedo, por ai tashmë është kthyer në ushtrime bashkë me Sergi Roberton. Celta nuk ka probleme me futbollistë të lënduar.

Barcelona në nëntor lëshoi pikë ndaj Betisit dhe Atletico Madridit, por më pas u kundërpërgjigj në mënyrë të përkryer me tri fitore rresht në ligë, me 11-të gola të shënuar e asnjë të pranuar.

Barça megjithatë do të ketë punë të vështirë, pasi ndaj këtij ekipi i ka fituar vetëm dy nga gjashtë të fundit .

E dyta në tabelë, Sevilla, do t’i shkojë Leganesit, kurse Atletico Madridi luan me Espanyolin.