Sport

250 ndeshjet e Hetemajt në Serie A

Descriptive Text

Kishte fituar simpatinë e njerëzve në vend kur rreth dy vjet më parë kishte refuzuar të luante për Finlandën ndaj Kosovës. Por Përparim Hetemaj shumë më herët ishte figurë e njohur e futbollit, ndërsa vazhdon me suksese.

Ai vazhdon të luajë me sukses në Serie A, njërën prej pesë ligave më të forta evropiane të futbollit. Të dielën arriti një shifër jubilare - ndeshjen e 250-të në kampionatin italian. Hetemaj asnjëherë nuk ka luajtur për ndonjë skuadër të madhe, por megjithatë ka regjistruar plot 250 paraqitje në një kampionat elitar evropian.

Për një futbollist që shquhet për angazhimin në fushë, për duelet e shumta në të cilat futet dhe për shumë duelet që i fiton, 250 ndeshje në një top-ligë evropiane është shifër e respektuar.

Përparim Hetemaj (32) është pjesë e skuadrës Chievo. Të dielën në barazimin pa gola me SPAL-in, luajti për 90 minuta në takimin e tij të 250-të. Gjatë këtyre ndeshjeve ka gjashtë gola e 19 asistime. Më shumë është përgjegjës për detyrat defensive në mesfushë. Këtë edicion Hetemaj i ka 11 paraqitje në Serie A. Dhe shifrën prej 250 ndeshjeve në kampionatin italian e ka arritur falë paraqitjeve kryesisht për Chievon.

Në edicionin 2010\11 kishte luajtur 30 ndeshje për Brescian, kurse prej vitit 2011 është te Chievo. Vetëm në dy edicione nuk ka arritur shifrën e 30 ndeshjeve kampionale.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).