Klubet keqpërdorën mjetet që morën për hapësirat e mediave

Klubet keqpërdorën mjetet që morën për hapësirat e mediave

21 prill 2017 09:08

Lëndimi i gazetarit Jon Ajeti në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Llapit dhe Drenicës, të mërkurën në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë, ka nxitur Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) të dalë me një komunikatë për t'ua kujtuar klubeve se u ka dhënë para të mëdha për përmirësimin e kushteve për media, shkruan sot Koha Ditore.

FFK-ja para fillimit të këtij edicioni, në total për te gjitha klubet e Kosovës ndau 650 mijë euro. Nga 30 mijë euro i ka ndarë për secilin klub të Superligës, vetëm që mediumet t'i përcjellin ndeshjet e Superligës në kushte normale. Por shumica e këtyre mjeteve nuk kanë shkuar për qëllimin që u dhanë. Disa klube i kanë përdorur për qëllime të tjera e disa kanë investuar fare pak për hapësirën e mediave nëpër stadiume.

Në komunikatën e FFK-së thuhet se mjetet financiare ishin të dedikuara për t'u siguruar mediumeve vende adekuate, të përshtatshme që pa pengesa të kryejnë misionin e tyre. Por kështu nuk ishte të mërkurën në stadiumin e Llapit e as nuk është në shumicën e stadiumeve të tjera të Superligës. Gazetari Ajeti u lëndua pas ndeshjes, gjatë qëndrimit në fushë, por mediat këtë ndeshje e përcollën në një hapësirë të vogël dhe të papërshtatshme.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se Federata nuk e ka pasur për obligim t'ua ndajë një buxhet të tillë, meqë siç thotë, është punë ekskluzivisht e vet klubeve. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme