Sport

Joshua konfirmon se kë e do për kundërshtar të radhës

Anthony Joshua e ka bërë të qartë se dëshiron vetëm një boksier si kundërshtar të radhës, e ai është Deontay Wilder.

Promotori i tij Eddie Hearn ka thënë se në rast nuk ndodh ky meç atëherë në listë janë Jarrell Miller, dhe fituesi i meçit Dillian Whyte dhe Derek Chisora, transmeton Koha.net.

Joshua, që aktualisht është në New York për ta përcjellë meçin ndërmjet Saul “Canelo” Alvarez kundër Rocky Fieldingut, ka thënë se e dëshiron “Bomberin e Bronztë” në Wembley më 13 prill.

Wilder do të ketë një rimeç ndaj Tyson Furyt pas një vendimi që mori WBC-ja pas barazimit që ata patën në Los Angeles. Boksieri amerikan gjithmonë ka thënë se duhet të jetë një kampion, një fytyrë, dhe një emër në peshat e rënda.

Joshua që mban brezat IBF, WBA dhe WBO synon ta marrë edhe WBC-në, titullin e së cilës e mban Wilderi.

“Joshua sapo erdhi dhe më tha të vërtetën: E dua përballë Deontay Wilderin më 13 prill – kjo është data ime për meçin në Wembley”, tha Hearn për Sky Sports. “Pse jo? Nëse dëshironi të jeni kampion i padiskutueshëm, tani është koha, prandaj ai e ka bërë të qartë, publikut dhe mua se kjo është ajo çfarë dëshiron”.

Ai ka shtuar më tutje se fokusi i tyre është Deontay Wilder për meçin e 13 prillit në Wembley.

“Nëse ai s’dëshiron të përballet me Anthony Joshuan s’kemi çfarë të bëjmë, por kjo është ajo çfarë dëshirojmë”, ka thënë ai.