Sport

Fundjava sjell superderbin anglez, Liverpool – United

Liverpooli synon të mbetet i pamposhtur në Premierligë, edhe në derbin e madh anglez ndaj Manchester United, që zhvillohet të dielën në “Anfield” nga ora 17:00.

“Të Kuqët” në këtë ndeshje hyjnë si lideri i ligës, me 42 pikë, një më shumë se përcjellësi Manchester City dhe 16 pikë më shumë se “Djajtë e Kuq”, që janë në pozitën e gjashtë me 26 pikë, transmeton Koha.net.

Liverpooli vjen pas fitores ndaj Napolit në Champions, ndërsa Unitedi u mposht nga Valencia, por që të dyja skuadrat kaluan tutje.

Liverpooli ka shumë probleme në mbrojtje, me mungesa të theksuara si Joe Gomez, Matip, Arnold, ndërsa në dyshim mbetet edhe James Milner.

Mungesa të mëdha pritet të ketë edhe te Manchester United, ku në këtë ndeshje do të mungojnë Lindelof, Sanchez, Martial, Smalling, Rojo dhe Darmian.

Ky do të jetë takimi i 201-të, midis Liverpoolit dhe Manchester United, në të gjitha garat ku Liverpool ka 65 fitore, 55 ndeshje janë mbyllur baras dhe 80 ndeshje janë fituar nga Manchester United.

Dy ndeshjet e fundit të zhvilluara në “Anfield”, kanë përfunduar baras 0:0.

Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet edhe në “Etihad”. Kampioni Manchester City, do të kërkojë këndelljen ndaj Evertonit, që synon Ligën e Evropës këtë sezon.

Chelsea pas fitores ndaj Manchester Cityt, do të kërkojë ecurinë fitoreve si mysafir i Brightonit.

Arsnali në formë dhe pa humbje në 22 ndeshjet e fundit, luan në udhëtim te Southamptoni, ndërsa Tottenhami është nikoqir i Burnleyt.