Sport

Rashica titullar kundër Dortmundit

Milot Rashica dhe paraqitjet e pakta te Werder Bremeni, kanë qenë temë e ditës për gazetarët në konferencën për shtyp të trajnerit të skuadrës Florian Kohlfeldt.

Rashica ishte planifikuar të ishte pjesë e kësaj konference, por mungoi për shkak se është dashur të aplikojë për vizë për Afrikën e Jugut, pasi skuadra do të udhëtojë atje për pjesën përgatitore të sezonit pranveror.

Para ndeshjes me liderin Borussia Dortmundin, trajneri Kohlfeldt jep sinjale se Rashica mund të jetë titullar në këtë takim, transmeton KTV.

Futbollisti i Kosovës deri para ndeshjes me Dusseldorfin, kishte vetëm 119 minuta lojë në këtë sezon dhe të gjitha duke qenë si zëvendësues.

Megjithatë përfshirjen në gola, në dy ndeshjet e para të sezonit, trajneri kishte thënë se mesfushorit sulmues i mungon ana mbrojtëse dhe gatishmëria për të luftuar për top.

Mirëpo talenti vushtrrias ka treguar se mund të vendosë ndeshjet dhe këtë e ka bërë edhe për Kosovën në Ligën e Kombeve, e këtë e di edhe trajneri.

“Që nga dita e parë, e kam pasur një ide të madhe se çfarë do të ndodhë me Milotin. Me topin në këmbë ai mund të vendosë ndeshjet. Këmba e tij e djathtë është një armë e rrezikshme e tij. Me fizikun e tij dhe tempon e shpejt, ne e kemi gjetur një lojtar të rrallë”, ka thënë trajneri i Werderit.

Për ndeshjen e së shtunës, sipas Kohlfeldtit, Rashica ka gjasa të mira për të qenë titullar dhe mund të bëhet një lojtar i përbërjes së parë.