Sport

Kosova ngrihet në listë, por mbetet e vetmja me dy klube në Evropë

Superliga e Kosovës është ngritur për dy pozita në ranglistën e UEFA-s. Nga vendi i fundit, i 55-ti, është ngritur në vendin e 53-të. Por Kosova është vendi i vetëm në Evropë që edhe në dy edicionet e ardhshme do të përfaqësohet me dy klube, një në Ligën e Kampionëve dhe një në Ligën e Evropës.

San Marino dhe Andorra që tash janë pas Kosovës në këtë listë, do t'i kenë nga tri klube në garat evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova edhe në dy edicionet e ardhshme, 2019\20 dhe 2020\21, do të dërgojë në Evropë kampionin dhe fituesin e Kupës.

"Renditja e re do të bëhet në fund të stinorit 2018/19 dhe do të përdoret për të përcaktuar numrin e vendeve për çdo federatë në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës për stinorin 2020/21", shkruan në sqarimin e UEFA-s.

Në fakt, sistemi garues i UEFA-s ndryshon në bazë të vendimeve të Komitetit Ekzistues. Ky sistem ka hyrë në fuqi në vitin 2018 dhe do të zgjasë për tri edicione, pra nga sezoni aktual 2018\2019 deri në fund të sezonit 2020\2021.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).