Sport

Mou nuk donte blerjen e Pogbas, Unitedi e mori për reklama

Jose Mourinho nuk ishte pyetur nga Manchester Unitedi për transferimin e Paul Pogbas pasi klubi për arsye komerciale vendosi për rikthimin e francezit në Old Trafford.

Këto pohime i ka bërë shoku i trajnerit portugez dhe ish-zëdhënësi i tij, Eladio Parames që ka thënë se klubi anglez për gjashtë muaj nxori 89 milionë funtet që kishte paguar te Juventusi.

Parames, i cili ka punuar me Mourinhon te Benfica dhe e quan veten si “ish-zëdhënës i menaxherit më të mirë në botë”, ka insistuar se Mourinho kurrë nuk ka dashur transferimin e Pogbas në verën e vitit 2016.

Duke e krahasuar mesfushorin francez me sulmuesin problematik Mario Balotelli, Parames ka shkruar për gazetën portugeze “Record” se “nuk është koincidencë që dy lojtarët janë kritikuar nga disa trajnerë”.

“Dikush do të më pyes nëse punëdhënësi nuk dinte për personalitetin e tij. Po do të thosha, por nganjëherë ka arsye përtej sportit që shtyn klubet për të t’i blerë ata. Pogba, për shembull, vlen më shumë në tregun e reklamave, aq shumë sa për gjashtë muaj Manchester Unitedi mori ato që investoi për të”, ka thënë Paremes.

“Me Matuidin dhe Kanten për krah, ai nuk vlen asgjë në fushë”, ka shkruar ai.

“Man Unitedi nuk i dha Mourinhos lojtarë të tillë edhe pse Woodwardi u këshillua. Si rezultat, kemi Nemanja Matiqin dhe Scott McTominayn që luajnë si qendërmbrojtës kundër Southamptonit”, ka shkruar Paremes.